‘Tradhtarët’ e mirë të klasës së mesme

nga Albin Kurti

Problemet ekonomike dhe sociale janë të njëjta dhe të ndryshme. Të njëjta në kuptimin që vështirë të gjesh se ku fillon njëra e ku përfundon tjetra. Dhe, të ndryshme në kuptimin që shkaqet janë ekonomike kurse pasojat janë sociale. Mirëpo, problemet ekonomike dhe sociale janë të ndryshme jo vetëm ashtu në vetvete apo në raport me njëra-tjetrën, por edhe për shkak se këndvështrimet e njerëzve janë të ndryshme. Pra, janë të ndryshëm njerëzit që flasin për gjërat dhe jo, thjesht, gjërat. Kështu, klasa e pasur në Kosovë përgjithësisht nuk sheh as probleme ekonomike dhe as probleme sociale – sipas tyre Kosova po përparon, duke shtuar eventualisht që ky përparim mund të mos e ketë shpejtësinë e mjaftueshme. Në fakt, kur kjo klasë flet për shpejtësinë ajo realisht flet për klasat e tjera për të cilat Kosova nuk po përparon. Pamjaftueshmëria e shpejtësisë së përparimit të Kosovës e konstatuar nga klasa e pasur duhet lexuar si pamjaftueshmëri e shtrirjes dhe gjerësisë së përparimit edhe në klasat e tjera (përveç asaj të pasur). Prandaj, porsa i ndezim televizorët që t’i ndjekim edicionet e lajmeve, ajo që më së shumti shohim e dëgjojmë aty janë premtimet e klasës së pasur për të tjerët. Ata që jetojnë shumë mirë në të tashmen (qeveritarët dhe miqtë e tyre) u premtojnë jetë (më) të mirë në të ardhmen të tjerëve (qytetarëve).

Në anën tjetër, klasa e mesme dhe klasa e varfër e popullsisë besojnë që Kosova ka edhe probleme ekonomike edhe probleme sociale. Mirëpo, përderisa klasa e mesme e shoqërisë identifikon probleme ekonomike, ajo e varfër konstaton probleme sociale. Dhe, më tutje, përbrenda klasës së mesme, në shtresën e epërme të kësaj klase, problemet shihen si ekonomiko-sociale, ndërkaq në shtresën e poshtme të klasës së mesme si socio-ekonomike.

Klasa e pasur, në rastin më të mirë, dëshiron të diskutohet QYSH po ikin qytetarët nga Kosova për në kampet e burgjet e Hungarisë, dhe PSE policia s’arrin dot t’i ndalojë ata. Klasa e mesme dhe e varfër, në rastin më të keq, do që të diskutojë PSE po ikin qytetarët tanë kur i kemi më shumë se 14 vjet çlirim e më shumë se pesë vjet pavarësi prapa vetes, dhe QYSH duhet të ndryshohen politikat ekonomike e sociale për ta bërë vendin tonë të jetueshëm për të gjithë. Klasa e pasur bluan mendjen se si t’ia bëjë që qytetarët të mos kenë MUNDËSI të ikin meqë po na e prishin imazhin e shtetit karshi ndërkombëtarëve, ndërsa klasa e mesme dhe e varfër duan zgjidhje që qytetarët të mos kenë NEVOJË të ikin nga vendi i tyre, që do të thotë që klasa e pasur mendon në mënyrë POLICORE kurse klasa e mesme dhe e varfër në mënyrë POLITIKE. Ose, një shembull nga bota e korporatave: ankesat për pagesat e larta të menaxherëve ekzekutivë janë krejtësisht të ndryshme për nga struktura varësisht nëse vijnë prej punëtorëve apo prej pronarëve. Është nënpyetja pas përgjigjes dhe jo pyetja e parë ajo që na i sqaron pozicionet e njerëzve, motivet e aspiratat e tyre. Ose, për t’u rikthyer sërish në Kosovë: ish luftëtarët e UÇK-së nuk përbëjnë tashmë aspak një kategori të përbashkët shoqërore: kemi një pakicë prej multimilionerësh midis tyre të instaluar në pushtet e shtet, dhe shumicën tjetër ku bëjnë pjesë edhe ata mbi 40 ish pjesëtarë të UÇK-së që bënë vetëvrasje pas luftës për shkak të kushteve shumë të rënda të jetesës. (Në disa raste kur isha për ngushëllime në shtëpitë e tyre vërehej qartë varfëria e skajshme: prej rrobave shumë të vjetra e shtëpisë së pasuvatuar edhe në muret e brendshme, e deri te xhami i krisur i gotës me të cilin ta sjellin ujin e pusit dhe qilimi që t’i lag çorapet meqë është i vendosur drejt e në tokë në vend se në dysheme).

Për ndryshime politike dhe shoqërore në Kosovë, problemi më i madh është kur klasa e mesme nuk e mirëkupton ose edhe nuk e kupton fare klasën e varfër. Të merremi vesh: është e qartë dhe e pritshme që klasa e varfër dhe ajo e pasur të mos kuptohen me njëra-tjetrën. P.sh. një qytetar që ka pasuri prej disa milionë eurosh dhe një tjetër qytetar që ka mbetur me vetëm disa euro në xhep nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Ata mund të flasin të njëjtën gjuhë, p.sh. gjuhën shqipe, por ata nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Sepse, ata kanë botëkuptime krejt të ndryshme që vijnë prej jetesës në dy botëra aq të ndryshme e me halle po aq të ndryshme. Fundja, përvoja jonë jetësore na tregon që madje nuk ka as fakte për të cilat pajtohen të gjithë njerëzit. Mendimet e njerëzve janë të udhëhequra prej qëllimeve e synimeve të tyre, më shumë sesa prej fakteve jashtë tyre. Kjo nuk vlen për secilin rast e për çdo kohë njësoj, por nëse do të përpilonim agregate statistikore të këtyre qëllimeve e synimeve, pa dyshim që do të përfundonim tek intencat klasore. Mirëpo, kur klasa e mesme shpërfill të varfrit dhe i lë vetëm ata, aty gjendja bëhet gati e pashpresë, sepse bie potencialiteti për ndryshime. Sado të pasur që të jenë ata në pushtet dhe sado të pushtetshëm që të jenë të pasurit, kur klasa e mesme i qëndron shumë pranë masave të varfra aty gjendja mund të jetë shumë e rëndë porse gjithsesi ka shumë shpresë për ndryshime. Të varfrit, në njërën anë, nuk kanë pasur shans për arsim cilësor, kurse, në anën tjetër, janë të kurthuar nga mbijetesa e përditshme që nuk të lë as kohë e as energji ta ngritësh kokën. Janë qytetarët që përnjëmend i duan ndryshimet e të cilët vijnë nga klasa e mesme ata që i kompensojnë mangësitë e të varfërve dhe i ndihmojnë ata në organizim e beteja politike, shoqërore dhe ekonomike. Pra, janë qytetarët e klasës së mesme ata të cilët nuk e përjetojnë realitetin thjesht si pasojë duke e kufizuar atë në shumësi problemesh sociale, por arrijnë të kuptojnë shkaqet dhe interesat ekonomike të të pasurve që prodhojnë mjerim social për të varfrit. Këta qytetarë duhet të bëhen intelektualë në kuptimin e Sartre-it, pra të ‘tradhtojnë klasën e tyre’, në drejtim të masave popullore. Për këtë gjë ka nevojë çdo vend i shtypur e i shfrytëzuar, për këtë ka nevojë edhe Kosova – pra, për ‘tradhtarë’ të klasës së mesme nga klasa e mesme. Sa më shumë këso ‘tradhtarësh’, aq më të mëdha bëhen mundësitë e rriten shpresat për ndryshimet e nevojshme.

Për fund, shpresoj që ky shkrim t’ju cysë sadopak që kur të bisedoni me të tjerët të keni parasysh që ata nuk janë vetëm persona të veçantë të popullit tonë por edhe njerëz të përgjithshëm të klasës së tyre shoqërore. Dhe, se kjo e fundit, kushedi, ndoshta i përcakton ata më shumë sesa e para. Zaten edhe këtë shkrim që porsa e lexuat nuk duhet ta kuptoni vetëm si shkrim i autorit që mban emrin e mbiemrin tim, por si një shkrim i një njeriu që i përket klasës së mesme dhe shtresës së poshtme aty. Kur lexoni shkrim të ndonjë politikani të pasur sigurisht që ai nuk është tërësisht i ndryshëm prej shkrimeve të mia vetëm për shkak se i kemi emrat e ndryshëm, apo jo?

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *